Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me 30 vite burg të 42-vjeçarit Mikel (Gjovalin) Alia, ndaj të cilit u ngrit akuza e vrasjes në bashkëpunim, pasi me 2 tetor të vitit 2019-të nxori në pritë shokun e tij të fëmijërisë Eri Zefi për ta ekzekutuar.
Konkluzionet janë dhënë nga Prokurori Erjon Shehaj, i cili ka hetuar çështjen dhe tashmë do të jetë gjykata që do të vendosë për fatin e 42-vjeçarit.
Mikel (Gjovalin) Alia është personi i vetëm i marrë i pandehur për vrasjen e Eri Zefit, në Zall Xhuxhë të Mirditës dhe ai u zbulua përmes mesazheve, tabulateve telefonike e pamjeve filmike.
34-vjeçari Eri Zefi u gjet i pajetë pak metra larg Rrugës së Kombit nga banorët e zonës tetorin e vitit 2019. Alia u arrestua disa javë më vonë, ndërsa tani Gjykata “është bindur” se ai është autori i krimit.
Ngjarja
Mendohet se për një shumë parash ende të papërcaktuar, Alia ka pranuar të shesë shokun e tij të ngushtë, duke e nxjerrë nga shtëpia, falë direktivave dhe skenarit që kishin bërë gjaksit e viktimes. Gjatë hetimit është provuar se Alia ka komunikuar në telefon dhe në mënyrë verbale me Eri Zefin, duke i kërkuar të bashkëpunojnë së bashku për të vjedhur në mesnatë një sasi të kunsiderueshme hashashi në një territor malor, që ndodhet në fshatin Zallë Xhuxhë të Mirditës. Eri Zefi, ka pranuar ofertën e mikut të tij të fëmijërisë të cilit i besonte në mënyrë të verbër, dhe janë nisur së bashku të dy me makinë në vendin ku ishte caktuar për tu bërë vrasja.
Ata kanë udhëtuar në mesnatë në autostradën Durrës-Kukës, dhe sapo kanë mbërritur në fshatin Zalë Xhuxhë, kanë dalë nga rruga duke hyrë rreth 50 metra në një teren malor, ku Mikel Alia, pretendon se aty do vidhnin drogën. Por në fakt ai teren ishte caktuar nga hasmit, për të ekzekutuar njeherë e mirë Eri Zefin, vëllain e Ndue Zefit. Sapo Alia dhe Zefi kanë dalë nga makina dhe ndodheshin mes errësirës, mes disa shkurreve janë shfaqur dy persona ende të paidentifikuar duke ushtruar dhunë barbare ndaj Zefit.
Më pas ata e kanë qëlluar me plot 6 plumba, katër në kokë dhe dy në gjoks duke e lënë të vdekur në vend. Dy autorët së bashku me bashkëpunëtorin e tyre, mikun e Zefit janë larguar mes errësirës së dendur. Trupi i pajetë është gjendur nga fshatarët e zonës i mbuluar në gjak, të cilët kanë njoftuar policinë.
Discussion about this post